Në Hagë ka nisur dëshminë e tij ish-ambasadori amerikan Christopher Hill, i cili po paraqitet si dëshmitar në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale.
Hill, i cili ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Kosovën gjatë viteve 1998–1999, rrëfeu për rolin e tij në përpjekjet diplomatike të asaj kohe për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të ndalur dhunën në Kosovë.
Ai foli për takimet me Ibrahim Rugovën dhe për bisedimet e zhvilluara me përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se në fillimet e kontaktit kishte paqartësi se kush përfaqësonte realisht strukturat e saj.
Diplomati amerikan kujtoi gjithashtu takimin e tij të parë me Hashim Thaçin, duke e përshkruar si “të qetë, intelektual dhe të prirur për dialog”. Ai shtoi se në atë kohë nuk kishte dëgjuar akuza për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj Thaçit.
Hill dëshmoi edhe për procesin e Rambujesë, duke thënë se Thaçi kishte refuzuar një propozim që nuk përfshinte pavarësinë e Kosovës, pasi “kthimi në Kosovë me një marrëveshje të tillë do të ishte i rrezikshëm për të”.
Ish-ambasadori Hill do të vijojë dëshminë e tij në ditët në vijim.
(Burimi: Klan Kosova)

