Ekspertët zbulojnë rezultate shqetësuese nga tabiatet e reja prej teknologjisë
Përmbajtja e shkurtër video në platforma si TikTok, Instagram Reels dhe YouTube Shorts është bërë një dukuri e përditshme për miliona njerëz në mbarë botën. Edhe pse shikimi i klipeve qesharake ose argëtuese mund të duket i padëmshëm, hulumtimet e reja tregojnë se shfletimi i vazhdueshëm i përmbajtjes së tillë mund të ndikojë seriozisht në trurin dhe shëndetin mendor të përdoruesve.
Hulumtimi analizoi të dhënat nga 98,299 pjesëmarrës në 71 studime në rrjete të ndryshme sociale dhe zbuloi rezultate shqetësuese. Përmbajtja e shkurtër video, e popullarizuar nga TikTok dhe Douyin, është përhapur gjithashtu në Instagram Reels dhe YouTube Shorts, dhe përdoret jo vetëm për argëtim, por edhe në arsim, fushata politike, reklamim dhe marketing, shkruan Unilad.
Ekspertët paralajmërojnë se shfletimi pafund i videove të shkurtra mund të jetë varësi dhe të ndikojë negativisht në vëmendjen dhe funksionet njohëse. Analiza tregoi se konsumi më i madh i kësaj përmbajtjeje korrelon me vëmendje më të dobët tek të rinjtë dhe të rriturit, ndërsa në të njëjtën kohë rrit rrezikun e depresionit, ankthit, stresit dhe ndjenjave të vetmisë.
Shfletimi i vazhdueshëm i përmbajtjes stimuluese krijon sekretim dopamine dhe një zakon që rrit varësinë emocionale nga ndërveprimet dixhitale, duke e bërë të vështirë për përdoruesit të rregullojnë ndjenjat e tyre në jetën reale.
Përdorimi i këtyre aplikacioneve para gjumit është veçanërisht problematik, sepse drita blu nga ekrani pengon prodhimin e melatoninës dhe serotoninës, hormone kyçe për rregullimin e ritmit cirkadian.
Përfundimi i hulumtimit është i qartë: sa më i madh të jetë konsumi i përmbajtjes së shkurtër video, aq më e keqe është vëmendja, aftësitë njohëse dhe shëndeti mendor. Edhe pse nevojiten kërkime shtesë mbi ndikimin në perceptimin e trupit dhe vetëbesimin, ekspertët theksojnë se përdoruesit duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe të kufizojnë kohën e kaluar në platforma të tilla. /tesheshi.com/

