Shkup, 29 nëntor – Vendi përballet me një problem serioz dhe shqetësues shëndetësor: janë raportuar raste të shumta të fëmijëve dhe të miturve me probleme kardiovaskulare për shkak të konsumimit të pijeve energjetike. Fatkeqësisht, ka raste që kanë përfunduar edhe me fatalitet. Ky fenomen alarmant po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, madje edhe nëpër shkolla, ku nxënësit konsumojnë këto pije në mënyrë të pakontrolluar, pavarësisht se shitja e tyre tek fëmijët është e ndaluar me ligj.
“Kemi nxënës që në përditshmëri, fillojnë edhe ditën me konsumimin e pijeve energjetike. Domethënë, që nga ora 7:30, konsumojnë produkte të tilla, edhe pse vazhdimisht u flasim dhe u tërheqim vëmendjen, duke u treguar për efektet negative. Ndoshta edhe vetë trendi, kujdesi i pamjaftueshëm nga prindërit, apo mungesa e informacionit ndikojnë. Fatkeqësisht, çdo ditë e më shumë, konsumi është më i lartë dhe moshat që fillojnë të konsumojnë janë më të reja. Këtu nuk flasim vetëm për nxënësit e shkollave të mesme, kemi të bëjmë edhe me rastet e shkollave fillore.” – tha Valbona Kadriu, mësimdhënëse dhe nutricioniste.
Shkollat: Nevojitet koordinim për luftimin e këtij fenomeni
Drejtoresha e shkollës fillore “Liria”, Teuta Idrizi, tha se ka ndërmarrë masa për këtë problem, por shtoi se duhet një koordinim mes prindërve, nxënësve dhe insitucioneve shtetërore që të luftohet ky fenomen mjaft i përhapur.
“Institucioni ynë arsimor, në mënyrë të qartë dhe të strukturuar, ka marrë masa adekuate për ‘futjen dhe konsumimin e pijeve energjetike në ambientet e shkollës’. Kujdestarët e klasave janë të obliguar të mbajnë ligjërata informative me nxënësit dhe e kanë kuptuar se çfarë pasojash mund të kenë nga këto pije energjetike. Aktualisht, jemi duke u munduar me stafin e shkollës të mbajmë nën kontroll fëmijët, duke përcjellë lëvizjet e tyre, sidomos gjatë pushimit dhe momentin kur futen në shkollë.” – u shpreh Drejtoresha e SH.F “Liria”, Teuta Idrizi.
Dietologët ngrejnë alarmin: përbërësit si taurina dhe kafeina mund të shkaktojnë dëme serioze në organizëm. Ndërsa mjekët shprehen se është rritur numri i pacientëve të mitur që kërkojnë ndihmë, pas konsumimit të lartë të këtyre pijeve.
“Në organizëm, përveç efektit të pagjumësisë tek fëmijët dhe të miturit, këto pije shkaktojnë probleme me koncentrimin dhe të mësuarit. Shfaqen probleme me ankthin, nervozizmin e paarsyeshëm, dhe mos të flasim për tahikardi ose rrahje të shpejta të zemrës. Raste të tilla nuk janë të rralla; kemi pasur ndërprerje ose atake kardiake, pra ndërprerje të punës së zemrës, sepse zemra, nga këto suplemente, rreh më shumë se sa duhet dhe organizmi i tyre nuk e përballon.” – deklaroi Valbona Kadriu, mësimdhënëse dhe nutricioniste.
Shitoret qofshin rreth shkollave apo larg tyre ,vazhdojnë t’u shesin fëmijëve pije energjetike, edhe pse një praktikë e tillë është e ndaluar me ligj. Pa rregulla të qarta dhe zbatim efektiv në teren, fëmijët vazhdojnë të konsumojnë lirshëm, duke e kthyer këtë fenomen në një shqetesim serioz për shëndetin e tyre.

