Portieri i Paris Saint-Germain dhe i kombëtares franceze, Lucas Chevalier, është përfshirë në një debat publik pas një reagimi në rrjetet sociale që nuk kishte lidhje me sportin.

Gjithçka nisi kur Chevalier bëri ‘like’ në një postim të deputetit francez Julien Aubert, i cili shprehte qëndrime politike në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve. Ky veprim u interpretua nga disa përdorues si mbështetje për një parti të krahut të djathtë, duke shkaktuar një valë kritikash ndaj portierit.

Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Chevalier sqaroi se veprimi ishte bërë pa qëllim dhe se nuk përfaqëson bindjet e tij politike. Ai theksoi se “nuk është këtu për të folur për politikë, por për sport”, duke shtuar se vlerat e tij personale janë ndryshe nga ato që i janë atribuar.

Nga ana tjetër, deputeti Julien Aubert doli në mbrojtje të futbollistit, duke e cilësuar reagimin ndaj tij si të tepruar dhe të panevojshëm.

(Burimi: Top Channel)