TIRANË– Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga tre anëtarë nuk arriti dot sot të merrte një vendim për t’I kaluar Mbledhjes së Gjyqtarëve ankimin e kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit të Belinda Ballukut nga funksionet, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, Kolegji nuk shprehet për kalimin ose jo të një çështjeje në seancë plenare, por për moskalimin ose jo të saj. Dhe në këtë rast “vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji merret njëzëri”.

MARKETING

Duke qenë se trupa e tre anëtarëve që përbënin kolegjin, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, nuk ka patur unanimitet për moskalimin, atëherë çështja i ka kaluar mbledhjes së gjyqtarëve për t’u shprehur. Edhe Mbledhja e gjyqtarëve, po ashtu si kolegji, do të duhet të vendosë për moskalimin “me shumicë votash”. Në këtë rast nëse nuk kapet shumica prej 5 votash në favor të mosshqyrtimit, çështja i kalon automatikisht  seancës plenare. Mbledhja e Gjyqtarëve do të zhvillohet më 4 dhjetor.

“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon: Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, informoi Gjykata Kushtetuese.

Neni 31/a
Moskalimi i çështjes për shqyrtim në seancë plenare
 1. Vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji merret njëzëri, ndërsa nga Mbledhja e Gjyqtarëve merret me shumicën e votave.

Me Kushtetuesen që la ende në pritje verdiktin për çështjen Balluku, kryeministri Edi Rama komentoi edhe një herë se nuk ka asnjë rast në botë ku një prokuror dhe një gjykatë të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.

“Pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci”, shkroi Rama.

Edhe Sali Berisha i dedikoi konferencën e tij për media Belinda Ballukut me një kërkesë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Me pretendimin se Rama po mbron zv.kryeministren në betejën e saj me drejtësinë, PD e kërkon shefin e qeverisë edhe në përballje parlamentare.

“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje. Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze të dokumentuara”, tha Berisha. 

Po sot, Balluku ka ankimuar në GJKKO dy masat e sigurisë të vendosura ndaj saj, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, pasi është e pandehur për shkelje me tenderin e Llogarasë dhe në hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Çfarë kërkon qeveria në Kushtetuese?

Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër. Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.