A u është cënuar ndonjëherë nga muslimanët trinomi nder/pronë/jetë?
Ben Blushi volli sërish vrerin e tij të njohur, pra ai që pak javë më parë do thoshte, duke prezantuar librin e tij kontravers deri në ndytësi “Jam musliman” se ishte rritur nga muslimanë që për fe kishin dashurinë(!). Por në ka gjë që mungon tërësisht te ai është bash ca pak dashuri për ata mes të cilëve ka jetuar e jeton, jashtë rrethit të ngushtë familjar, aty ku ushqen marrëzishëm kultin e tij të madhështisë, pra për shoqërinë, për atë shoqëri përplot muslimanë, ku askush nuk ia ka cënuar as nderin, as pronën e as jetën. Thënë kjo, sepse te Perandoria Osmane të cilën ai e sulmon papërmbajtshëm, me një mllef dhe urrejtje e cila e shëmton, atë dhe ata që ia pëlqejnë turfullimet e tij irracionale, gati psikopatike, është në fakt besimi, pra Islami dhe muslimanët.
Dhe vëreni me kujdes në ato që shkruan së fundi: si nuk sjell dot një referencë historike për ato që thotë, një autor, një titull, një tregues faktik të provuar? Sepse do justifikohej deri diku mllefi i tij nëse do kishte në thelb një shfrim hakmarrjeje ndaj një krimi a padrejtësie. Ndërkohë, ai nuk ofron dot asnjë fakt të tillë.
Aspekti më diskutueshëm i Perandorisë Osmane ka qenë besimi; pra, shqiptarët u konvertuan me dhunë a me zgjedhje të lirë?
Dhe, si metodikë, për të qartësuar një realitet të së djeshmes, mund të të ndihmojë lënda e realitetit, ashtu siç dhe e kundërta. I gjithë post-komunizmi shqiptar i dha përgjigje të qartë kësaj pikëpyetjeje historike mbi të djeshmen osmane. Në kushte krejt lirie, pa asnjë imponim apo diktat, jeta islame është një dinamizëm i gjallë, mbi të gjitha në qendra urbane dhe te rinia. Dhe pos kësaj, pa i sjellë asnjë dëm shoqërisë, pa e cenuar në asnjë aspekt, pa frymuar asnjë urrejtje ndaj të ndryshmëve nga ata veç, pa qenë askund ata në të këqijat që e kanë zënë për fyti këtë vend: nuk janë ata të korruptuarit, nuk janë ata vjedhësit e pronave, nuk janë ata shkelësit e ligjeve, nuk janë ata imoralët e amoralët e shoqërisë, nuk janë ata fjalëndytët, nuk janë ata ndotësit e ambientit, nuk janë të ata të paarsimuarit e të pakulturuarit, nuk janë ata prishësit e familjes, nuk janë ata prodhuesit e varfërisë e të padrejtësive të llojllojshme, nuk janë mizantropët e të izoluarit, nuk janë ata cenuesit e bashkëjetesës fetare, ndoshta të vetmes vlerë reale që ende kemi e që bash kjo po tentohet të hidhet në erë nga fenomeni “Blush” në Shqipëri e “Deçan” në Kosovë. Sepse kjo është çudia më e madhe: si ka mundësi që këta njerëz, të shprishur keq në shpirt, bashkëjetojnë me muslimanët në përditshmëri; janë fqinj me ta, janë kolegë në punë, ndajnë gjithçka me ta që ka një përditshmëri e zakonshme, ata dhe të parët e tyre, dhe që në fund nuk ankohen nga asgjë prej tyre në kuptim të dëmit që ata mund t’u sjellin, dëm ne tre kolona – nder, pronë e jetë – dhe në fund të ditës i shohin si armiq?!
Jeta islame, mesazhet dhe kumtet e saj, etika e të jetuarit, qenia e muslimanit, nuk janë diçka në distancë të shoqërisë, zhytur në errësira okulte, e paidentifikueshme, kësisoj e dyshueshme dhe paragjykuese. Ata janë realë, pa asnjë perde ndarëse, të shkrirë në vrundujt e jetës së gjallë në të gjithë përmasat e saj, nga gjërat madhore e deri te vogëlsirat. Janë kudo, në çdo qelizë jete: të prekshëm, të qartë. Kështu kanë qenë e kështu vijojnë të jenë. Ndaj dhe është e vështirë dhe gati e pamundur ta gjesh një arsyetim justifikues të mllefit blushist, i cili nuk kufizohet vetëm me atë si person, por zgjerohet dhe me ithtarë të qëndrimeve të tij në nivel psikopatik. A janë ata, siç dhe Blushi, të cilët ndajnë përditshmërinë me muslimanët, marrin e japin me ta, brenda ligjeve të natyrshme të jetës, në një shoqëri që i përket një vendi të vogël e kësisoj na bën më të afërt me njëri-tjetrin, në raporte gjaku apo shoqërore? Sigurisht që janë. Pse pra, çfarë i shtyn t’i bashkohen të tillë mllefi, qoftë dhe me një like ndaj shfrimeve të tij psikopatike, teksa nuk artikulojnë dot qoftë dhe padrejtësinë më të vogël që u ka bërë një musliman, gjithnjë në nderin, pronën apo jetën?!
Sigurisht, shoqëria muslimane nuk është ideale, siç asgjë në këtë botë; ka dhe ajo cenet e saj, gjëra që nuk shkojnë në raport me kumtin fetar që përfaqëson dhe përqafon – parimet islame; ka dhe ajo njerëzit e saj jo aq idealë dhe jo thjesht të papërsosur, karaktere të vështira që kundërthonë me sjelljet, qëndrimet apo fjalët Islamin që përfaqësojnë, por e përgjithshmja është, e provuar në shekuj, lehtësisht e konstatueshme në të sotmen që jetojmë, që kurrë nuk kanë qenë apo janë halli, brenga, trishtimi i kësaj shoqërie, me një mijë halle, brenga e trishtime. E kundërta: janë “blushët” dhe “deçanasit” që me delikuencën e tyre zeherin e përbrendshëm, urrejtjen irracionale e të pacak ndaj bashkëmbësva të tyre të besimit islam, ose thënë ndryshe ndaj bashkëjetuesve me ta, fqinjëve apo kolegëve të tyre në punë, që po ja shtojnë shoqërisë dhe një hall, një brengë e një trishtim më tepër, duke cenuar të vetmen gjë që është vërtetë krenari kombëtare pa mite të gënjeshtërta historike: bashkëjetesën, fetare ose jo fetare. /tesheshi.com/

