Shkup, 29 nëntor – Pensionistët që kërkojnë rritje lineare të pensioneve sot nga Shtipi thanë se të hënën, më 1 dhjetor, pensionistët nga e gjithë shteti do të protestojnë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, me qëllim që – siç thonë ata – të vazhdojë llogaritja lineare e pensioneve. Në konferencën e sotme për shtyp ata bënë thirrje për pjesëmarrje masive, që së bashku të luftojnë për të drejtat e tyre.
„Të hënën në ora 11 para Gjykatës Kushtetuese në Shkup do të protestojmë, pensionistë nga e gjithë Maqedonia“, tha pensionisti Zoran Trajkov.
Trajçe Stanojkov, pensionist nga Sveti Nikolla, paralajmëroi se nëse protesta e së hënës nuk jep rezultat, më 10 dhjetor do të vazhdojnë me protesta, sepse nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre. Ai shtoi se, përveç harmonizimit linear të pensioneve, do të kërkojnë edhe K-15, rritje të ndihmës së varrimit, si dhe futjen e kartës së pensionistit.
Pensionisti nga Shtipi, Trajçe Mitev, tha se kanë edhe kërkesa konkrete.
„Do të luftojmë që ndihma e varrimit të rritet nga 35.000 në 50.000 denarë. Do të krijojmë një front që të futet karta e pensionistit“, tha Mitev.
Në Shtip sot u mblodhën pensionistë nga Shtipi, Sveti Nikolla, Shkupi dhe Kumanova.
„Të gjithë do të angazhohemi të vijmë në Shkup, për t’i thënë se mjaft me diskriminimin. Ne kërkojmë rritje lineare të pensioneve“, tha pensionistja Vera Jovanovska.
Pensionistët fillimisht morën rritje lineare prej pesë mijë denarësh, në shtator në kartë morën edhe një mijë denarë, ndërsa në mars të vitit të ardhshëm pritet të ketë harmonizim të ri linear prej një mijë denarësh.

