Megjithëse shumica parlamentare nuk i ka votat e nevojshme për Badenterin, kryeministri Mickoski vlerëson se kjo nuk përbën pengesë për zbatimin e agjendës reformuese të Qeverisë. Ai pret që ligjet reformuese, të mbështetura edhe nga Bashkimi Evropian, të marrin përkrahje nga të gjithë deputetët pa dallim politik apo etnik, ndërkohë që mungesa e votave nga komunitetet joshumicë vazhdon të bllokojë disa ndryshime të rëndësishme ligjore

Ersan PAJAZITI

Shkup, 2 dhjetor – Shumicës parlamentare vazhdojnë t’i mungojnë numrat për të siguruar shumicën e dyfishtë, apo të ashtuquajturën shumicë e Badenterit. Aktualisht, pushteti numëron 14 deputetë nga komunitetet joshumicë, ndërsa për të siguruar Badenterin nevojiten të paktën 20 vota. I pyetur nëse Qeveria po zhvillon bisedime me deputetë të Frontit Evropian, të Aleancës për Shqiptarët apo me deputetin e pavarur Ilir Demiri për t’u bashkuar me shumicën parlamentare, kryeministri Hristijan Mickoski nuk konfirmoi një gjë të tillë. Megjithatë, ai tha se mungesën e shumicës së Badenterit nuk e sheh si problem sa i përket zbatimit të agjendës reformuese.

MARKETING

Sipas tij, ligjet për të cilat kërkohet shumicë e dyfishtë janë ligje reformuese të përkrahura edhe nga Bashkimi Evropian dhe, për këtë arsye, pret që ato të votohen nga të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike apo etnike. “Sa i përket shumicës së Badenterit në kuadër të Parlamentit, atë shumë herë e ndërlidhin me të ashtuquajturat ligje reformuese. Unë nuk pres që asnjë deputet në Parlament që kur të vjen në rend dite një ligj i tillë reformues, i cili është i përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian, të votojë kundër apo të mos votojë. Ashtu që unë nuk do të ndërlidhja shumicën e Badinterit me agjendën reformuese”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski.

NJË SËRË LIGJESH KËRKOJNË SHUMICËN E BADENTERIT

Deri më tani, për shkak të pamundësisë për të siguruar shumicën e Badenterit në Parlament nga gjithsej 39 deputetë të komuniteteve joshumicë, nuk janë miratuar disa ndryshime ligjore, si për shembull në Kodin Zgjedhor apo në Ligjin për vetëqeverisje lokale. Kryeministri Mickoski këto ditë paralajmëroi se Qeveria është e gatshme ta hapë paketën e reformave që duhet të sigurojnë autonomi të vërtetë institucionale dhe financiare të gjyqësorit. Duke qenë se ndryshimet do të prekin Këshillin Gjyqësor, shërbimin prokurorial dhe gjyqësor, si dhe rregullimin e të ardhurave të tyre, për miratimin e tyre do të kërkohet shumicë e plotë e Badenterit – të paktën 20 vota nga komunitetet joshumicë. Këto vota do të jenë vendimtare edhe për miratimin e Kodit të ri Penal, urgjencën e të cilit e ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese, me paralajmërimin se deri në fund të dhjetorit ajo mund të ndërhyjë për shkak të dispozitave kontestuese në zgjidhjen aktuale ligjore. Po ashtu, pa Badenter ende nuk mund të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin për vetëqeverisje lokale – ligje që duhet të aktivizojnë mekanizmat për shkarkimin e kryetarëve të komunave përmes referendumit, në rastet e mosfunksionimit apo dështimeve serioze. Përveç kësaj, shumicë prej 20 deputetësh nga komunitetet joshumicë do të kërkohet edhe për reformat e parashikuara me Ligjin e ri për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, i cili duhet të zvogëlojë ndjeshëm numrin e përdoruesve buxhetorë dhe të vendosë një menaxhim më efikas dhe më ekonomik të burimeve shtetërore. Të gjitha këto procese e bëjnë sigurimin e shumicës së Badenterit një nga prioritetet qendrore politike të pushtetit në periudhën e ardhshme.

MICKOSKI NUK KOMENTON FATIN E MURTEZANIT

Ndërkohë, në Parlament janë dorëzuar emrat e rinj të ministrave, ku ministër për mjedisin jetësor është propozuar emri i Muhamed Hoxhës, ndërsa zv/kryeministrër dhe ministër për çështje evropiane është caktuar Bekim Sali. Postin e ministrit për çështje evropiane deri më tani e ka ushtruar Orhan Murtezani, kuadër i partisë Alternativa. I pyetur se a do të emërohet Murtezani në ndonjë post tjetër, kryeministri Mickoski ishte i rezervuar për të dhënë përgjigje konkrete. Ai tha se vendi për momentin ka prioritete tjera.

“Nuk kemi diskutuar për emërimin e ardhshëm të Orhan Murtezanit. Unë jam shumë i kënaqur nga ajo çfarë ka bërë ai deri tani. Presim që bashkëpuno imi ynë të vazhdojë në ndonjë vend tjetër, por tani kemi prioritete tjera në këtë periudhe. E dini se kah 17-18 të këtij muaji është Samiti “Ballkani Perendimor-BE, ashtu që kemi prioritete tjera në rend dite jemi të fokusuar në atë. Edhe njëherë ti prezantojmë pozicionet tona për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa shtoi se nga ministrat e rinj pret që të punojnë në interes të qytetarëve dhe se tash për tash nuk do të ketë rikonstruksion të Qeverisë. “Të punojnë me përkushtim, me ndershmëri dhe në interes të qyetarëve”, tha Mickoski.

Me mini rikonstruksion të Qeverisë, është mbushur vendi i zbrazët mininstror për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësimor. Pas largimit të Izet mexhitit, pasi që është zgjedhur kryetar i Komunës së Çairit për ministër të ri është propozuar Muhamed Hoxha, ndërsa zëvendëskryeministër dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, me çka ministri aktual Orhan Murtezani largohet nga ky pozicion. Kryeministri Mickoski në pyetjejn e gazetarëve tha se nuk kanë biseduar për emërimin e ri të Murtezanit.

“Unë jam shumë i kënaqur nga ajo që ai e ka bërë deri më tani. Pres normalisht edhe më tej të vazhdojë bashkëpunimi ynë në një vend tjetër”, tha Mickoski. Ai shtoi se ër momentin si Qeveri janë të përqendruar në Samitin e ardhshëm Ballkani Perëndimor – Bashkimi Evropian, i cili do të mbahet këtë muaj dhe ky është prioritet për ata në këtë periudhë. “Atje diku mes datave 17 dhe 18 të këtij muaji është Ballkani Perëndimor – Bashkimi Evropian. Kështu që kemi prioritete tjera në rend dite, jemi të përqendruar në këtë, edhe një herë t’i prezantojmë pozicione tona për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në kuadër të Bashkimit Evropian dhe të gjithë jemi të fokusuar për këtë”, deklaroi Mickoski.

Përndryshe në opinion është përfolur një rekonstuim më i gjerë i qeverisë, por kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të qartë që një riformatim i Qeverisë mund të ndodhë vetëm në muajt e parë të vitit të ardhshëm, për shkak se për momentin e ka në fokus kongresin e VMRO-DPMNE-së, ku pritet që ai të rizgjidhet si kryetar i partisë. (koha.mk)