Hapësira ku sot lartohet një xhami me emrin jozyrtar të saj
Sot, Namazgjaja e dikurshme nuk ekziston; në vend të saj lartohet një xhami e madhe e stilit otoman, e cila, jozyrtarisht, ka marrë emrin e vendndërtimit, “e Namazgjasë”. E nga ana tjetër, pak dihet për atë hapësirë që dikur mbantë këtë emër. E mban dhe sot, natyrshëm prej xhamisë aty.
Studiuesi dhe arkitekti Artan Shkreli sjell së fundi një historik, ndoshta jo aq shterues, të Namasgjsë.
Shkruan ai:
“….Një hapësirë publike për faljen e namazit të Bajramit dhe festave fetare jashtë xhamisë, u formësua rreth vitit 1780, në kohën kur Tirana ishte tashmë qendër kazaje dhe po konsolidohej si qytet me funksione urbane të plota. Namazgjaja lindi kësisoj, si një ndër institucionet urbane më të vjetra të qytetit (përveç Xhamisë së Vjetër dhe tregut).
Ajo u zgjodh të bëhej në periferi, në anën juglindore të kazasë të herëshme, në një vend të hapur dhe të rrafshët, ku mund të mblidheshin shumë njerëz, dhe u pozicionua në jug të mauzoleut të Sulejman Pashës dhe në lindje të kalasë së Bargjinëve.
Sa i takon madhësisë, nisur nga hartat topografike austro-hungareze, dimensionet e përafërta të saj qenë: Gjatësia (veri–jug): rreth 80–100 metra; dhe Gjerësia (perëndim–lindje): rreth 50–60 metra. Pra një sipërfaqja totale midis 4.000 dhe 6.000 m², e cila rrethohej me një mur të ulët me gurë lumi, që shërbente si kufi simbolik.
Në anën juglindore Namazgjaja kishte një mihrab guri në ngjyrë të bardhë, me funksion orientues për drejtimin e Kiblës.
Posë këtij konstruksioni të vogël, nuk kishte ndërtime të përhershme, sepse kjo hapësirë përdorej dy herë në vit (në Bajramin e Madh dhe Bajramin e Vogël), duke lejuar që popullsia e qytetit të mblidhej e të falte namazin në ajër të hapur.
Do thënë se familja Toptani – që kishte qendrën e saj në kalanë e Tiranës – ishte përgjegjëse për shumicën e ndërtimeve publike të qytetit gjatë shekujve XVIII–XIX: xhami, medrese, hamame, ura por edhe fusha të tilla për lutje. Kësisoj, është Kapllan Beu (rreth 1770–1830), pinjoll i rendësishëm i kësaj familjeje, që përmendet si mbikëqyrës i disa veprave publike, mes tyre edhe ri’rregullimi i Namazgjasë në vitet e fundit të shekullit XVII.
Aty nga fundi i shek. XIX në skajet e saj, filluan të ndërtohen shtëpi private, e kështu forma e fushës u ngushtua gradualisht. Më vonë, me zgjerimin e qytetit në shek. XIX, zona rreth saj filloi të ndërtohej me shtëpi e rrugë, por emri ‘Namazgjà’ – apo ‘Manazjà’ siç i thonin tiranësit e vjetër – mbeti në toponiminë e kryeqytetit.
Ne foto: selvitë madhështore dhe pas tyre muri rrethues me gurë lumi. Në skajin jugor vërehet një “mihrab” i hapur në shërbim të kremteve të mëdha”.

