Arabia Saudite do të jetë vendi pritës i rellit për herë të 7-të radhazi, në një garë ku përfundimi është po aq i vështirë sa edhe fitorja.
Stamboll
MUTLU DEMİRTAŞTAN
Dakar Rally, konsideruar si gara më e vështirë dhe më e rrezikshme në botë, fillon nesër, raporton Anadolu.
Arabia Saudite do të jetë vendi pritës i rellit për herë të 7-të radhazi, në një garë ku përfundimi është po aq i vështirë sa edhe fitorja.
Dakar Rally, që organizohet për herë të 48-të, do të nisë me etapën paraprake në Yanbu dhe do të përfundojë më 17 janar me etapën e 13-të, po në të njëjtin qytet.
– Distanca totale
Në Dakar Rally 2026, me lidhjet ndërmjet etapave distanca totale i afrohet 8 mijë kilometrave. Pilotët do të përshkojnë rreth 5 mijë kilometra gjatë garës për të luftuar për titullin kampion.
Gjatë rellit, pilotët do të kalojnë në zona tejet të vështira, nga brigjet e Gadishullit Arabik te dunat e rërës, nga malet deri në Shkretëtirën Rub’ al Khali.
– Do të zhvillohet etap maratonë dyditore
Ashtu si vitet e fundit, edhe këtë vit në relli do të zbatohet koncepti i etapës maratonë dyditore.
Gjatë etapës maratonë, pilotët do të duhet të arrijnë në kampingje për të kaluar natën.
Me shumë pak pajisje dhe ushqime në dispozicion, pilotët do të nisen sërish në mëngjes për të përfunduar pjesën e mbetur të etapës.
– Rekordi i përket Peterhansel-it
Francezi Stephane Peterhansel mban titullin e pilotit që ka fituar më së shumti Dakar Rally.
Peterhansel ka fituar 8 herë në kategorinë e automobilave dhe 6 herë në motocikleta, duke arritur gjithsej 14 tituj kampioni në Dakar Rally.
Vitin e kaluar, rellin e fitoi sauditi Yazeed Al-Rajhi në kategorinë e automobilave dhe australiani Daniel Sanders te kategoria e motoçikletave.
Përveç kampionëve aktualë, në relli do të marrin pjesë edhe emra të njohur si Stephane Peterhansel, Carlos Sainz, Nasser Al-Attiyah dhe Seth Quintero në automjete, si dhe Kevin Benavides, Ricky Brabec dhe Tosha Schareina në motocikleta.
Francezi Sebastien Loeb, i cili ka fituar 9 herë Kampionatin Botëror të Rellive, do të luftojë edhe një herë për titull në Relliun Dakar, ku merr pjesë që nga viti 2016.
– 33 pilotë kanë humbur jetën
Që nga viti 1979, në garat e zhvilluara deri më sot, 33 pilotë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të ndryshme.
Në garën që zhvillohet në 8 kategori të ndryshme, ku përveç automobilave, motocikletave dhe kamionëve, nga viti 2009 janë përfshirë edhe ATV-të, ndërsa nga viti 2017 UTV-të, deri më tani kanë humbur jetën rreth 50 persona, përfshirë edhe jo-sportistë.
Meqë jo çdo vdekje është regjistruar nga autoritetet, numri i saktë nuk dihet. Ndër viktimat ka pasur edhe gazetarë, punonjës të organizatës dhe spektatorë.
Dakar Rally, i cili për shumë vite u zhvillua në Afrikë, u zhvendos në Amerikën e Jugut në vitin 2009 për shkak të kërcënimeve terroriste dhe që nga viti 2020 zhvillohet në Arabinë Saudite. Themeluesi i rellit, Thierry Sabine, humbi jetën gjatë garës së vitit 1986.
– Etapat
Në Dakar Rally 2026 do të zhvillohen 13 etapa si më poshtë:
| Etapat | Data | Nisje | Mbërritje | Distanca (km) |
|---|---|---|---|---|
| Faza paraprake | 3 janar | Yanbu | Yanbu | 23 |
| 1 | 4 janar | Yanbu | Yanbu | 305 |
| 2 | 5 janar | Yanbu | Al-Ula | 400 |
| 3 | 6 janar | Al-Ula | Al-Ula | 422 |
| 4 | 7 janar | Al-Ula | Al-Ula | 451 |
| 5 | 8 janar | Al-Ula | Hail | 356 |
| 6 | 9 janar | Hail | Riyad | 331 |
| Pushim | 10 janar | – | – | – |
| 7 | 11 janar | Riyad | Wadi ad-Dawasir | 462 |
| 8 | 12 janar | Wadi ad-Dawasir | Wadi ad-Dawasir | 481 |
| 9 | 13 janar | Wadi ad-Dawasir | Bişa | 418 |
| 10 | 14 janar | Bisha | Bisha | 371 |
| 11 | 15 janar | Bisha | Al Henakiyah | 347 |
| 12 | 16 janar | Al Henakiyah | Yanbu | 310 |
| 13 | 17 janar | Yanbu | Yanbu | 105 |
