Koalicioni qeveritar VMRO-VLEN nuk e mbështetet protestën e Veteranëve të UÇK-së që do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup në të cilën do të ngritët zëri për padrejtësitë ndaj ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Arsyeja, sipas tyre është se Ali Ahmeti po tenton të përfitojë nga kjo protestë.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në brifing me gazetarët tha se ky hap i Ahmetit është i gabuar dhe për këtë në të ardhmen do ta ketë shumë rëndë të gjejë partner koalicioni. Mickoski shkoi më tej, duke theksuar se është i bindur që sikur ai, edhe VLEN nuk do ta mbështetë.

LEXO EDHE:

Hoxha tetovar i ekzekutuar nga UDB-ja jugosllave Sulejman efendi Shehabi

 

 

Koalicioni VLEN nëpërmjet një komunikate drejton gishtin nga Ali Ahmeti se po tenton të përfitojë politikisht në kurriz të kësaj proteste, duke manipuluar ndjenjat e shqiptarëve. Sipas tyre, proceset në Hagë janë çështje serioze që kërkojnë diplomaci dhe veprime institucionale të cilat Kosoava tashmë po i ndërmerr.

“Prandaj kemi përgjegjësi që këto tema të trajtohen me maturi, e jo me improvizime të një partie që është zënë ngushtë dhe sa herë gjendet në krizë manipulon ndjenjat e shqiptarëve. VLEN respekton çdo protestë që lind natyrshëm nga shqiptarët. Ajo që kundërshtojmë është përdorimi i emrit të UÇK-së për të mbuluar dështimet, aferat dhe frikën nga zhdukja politike”, thonë nga VLEN.

Lidhur me protestën, sot ka reaguar edhe personalisht Ahmeti, i cili thekson se do të dalin në mbështetje dhe mbrojtje të së vërtetës objektive për krerët e UÇK-së në Hagë.

Megjithatë, protesta është caktuar në Shkup pas një vizite të Ahmetit në hapësirat e OVL-UÇK-së më 19 nëntor, ku kryetari i kësaj shoqate Hysni Gucati i ndau mirënjohje Ahmetit.

Deklaratat e Mickoskit nga OVL-UÇK sot i quajtën përçarëse, ndërsa theksuan që qëllimi i tyre nuk është që të ndërhyjnë në politikat e tyre të brendshme.

“Deklarata që nuk tregojnë unitet të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por më shumë përçarje, prandaj për neve kanë qenë të papranueshme sepse duke pasur parasysh faktin se këto protesta që i bëjmë, i kemi bërë edhe nëpër vende tjera dhe asnjëherë nuk kemi qëllim me ndiku në politikat e tyre të brendshme atje”, tha Gazmend Syla, Nënkryetar i OVL-UÇK.

Lidhur me protestën gjatë ditës kanë reaguar edhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të cilët i ftojnë partitë të mos e keqpërdorin protestën për përfitime politike, pasi qëllimi i saj është drejtësia dhe dinjiteti, dhe jo instrumentalizimi partiak. (Alsat.mk)

MARKETING