Faktet e pakta për familjen e Shakespeare ngrenë më shumë pyetje sesa japin përgjigje. Regjistrimet tregojnë se në vitin 1582 William Shakespeare, 18 vjeç, u martua me Anne Hathaway, 26 vjeçe, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, Susanna. Tre vjet më vonë lindën binjakët, Judith dhe Hamnet, një emër që atëherë përdorej në mënyrë të ndërkëmbyeshme me Hamlet
Filmi i ri, kandidat për Oscar, Hamnet, imagjinon jetën familjare të William dhe Agnes Shakespeare dhe humbjen “shkatërruese për shpirtin” të fëmijës së tyre. Është një histori e fuqishme që mbush boshllëqet e shumta. Në Hamnet, romani i Maggie O’Farrell i vitit 2020 dhe filmi i ri thellësisht prekës i bazuar në të, gruaja e Shakespeare, Agnes, paraqitet si një mjekuese bimore që njeh kurat natyrore dhe ka një aftësi pothuajse mbinatyrore për të parandjerë të ardhmen. Por ajo nuk mund ta shpëtojë djalin e vogël nga murtaja, një vdekje që e shtyn të atin të shkruajë njërën prej veprave më të mëdha të letërsisë botërore, Hamlet.
E pothuajse asgjë prej tyre nuk është e vërtetuar. Në libër dhe në film, Hamnet është vepër imagjinate, një eksplorim i pasur i dhimbjes së humbjes, i ndërtuar mbi shumë pak fakte reale. Nuk mund të thuhet se O’Farrell e shtrembëron historinë e vërtetë, sepse thjesht nuk ka histori, pavarësisht shekujve kërkimesh për të zbuluar të kaluarën e Shakespeare.
Faktet e pakta për familjen e Shakespeare ngrenë më shumë pyetje sesa japin përgjigje. Regjistrimet tregojnë se në vitin 1582 William Shakespeare, 18 vjeç, u martua me Anne Hathaway, 26 vjeçe, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, Susanna. Tre vjet më vonë lindën binjakët, Judith dhe Hamnet, një emër që atëherë përdorej në mënyrë të ndërkëmbyeshme me Hamlet. Në vitin 1596, vetëm 11 vjeç, Hamnet vdiq. Ai u varros më 11 gusht, dhe është pothuajse e sigurt se Shakespeare që udhëtonte me trupën e tij teatrale, nuk mundi të kthehej në Stratford për varrimin. Rreth katër vjet më vonë, ai shkroi Hamlet. Secili mund ta interpretojë vetë. Nuk dihet nëse Shakespeare u detyrua të martohej me Anne-n shtatzënë, apo ishin marrëzisht të dashuruar. Nuk dihet si vdiq Hamnet-i, por murtaja e përhapur mund të jetë shumë e mundshme si shkak.
Më e rëndësishmja për librin dhe filmin, nuk dihet pothuajse asgjë për vetë Anne-n, përfshirë nëse dinte të lexonte ose shkruante. Letërsia dhe filmi i japin asaj një personalitet të fortë (siç e luan Jessie Buckley në ekran) dhe një romancë pasionante me Shekspirin (Paul Mescal). Hamnet është vërtet për Agnes-in.

NDRYSHIMI I RRËFIMIT
Në shënimin e autores në fund të librit, O’Farrell pranon se dihet shumë pak për Hamnet-in dhe prindërit e tij. Por ajo e ndërton historinë mbi kërkime të kujdesshme për shekullin XVI dhe e vendos në kontekst historik. Ajo i thotë BBC-së më tepër për gruan e Sheakspeare. “U hutova pak nga mënyra se sa keq historia dhe studimet e kanë trajtuar gruan e tij, të cilën na kanë mësuar ta quajmë Anne Hathaway. Gjithmonë na është dhënë vetëm një version: që ajo ishte një fshatare analfabete që e zuri në kurth, se ai e urrente, se iku në Londër për t’i shpëtuar asaj”. “Shkova sërish te veprat, duke parë nëse e gjeja aty, sepse gjithmonë kam menduar se e shoh Hamnet-in në Hamlet. Mendova se edhe ajo duhej të ishte diku”, tha Maggie O’Farrell.
Madje edhe për emrin e saj ka pasiguri. I ati, një fermer i suksesshëm, i la një pajë në testament dhe e quajti Agnes. O’Farrell vendosi t’i japë këtij personazhi këtë emër. Shkrimtarja ka një pikë të fortë për mënyrën si është nënvlerësuar gruaja e Shakespear. Profesoresha Jo Eldridge Carney i thotë BBC-së se kjo paraqitje “është një kundërshtim i qëllimshëm i supozimeve të pavërtetuara ndër shekuj për Anne-n, si një shenjtore e mërzitshme e shtëpisë, ose si një grua e shthurur, që e futi Shakespear në një martesë të mjerë”. Ndërsa studiuesi David Scott Kastan thotë se në pothuajse të gjitha dokumentet ajo quhet Anne, dhe Agnes vetëm në testamentin e të atit. Mund të ketë lindur Agnes, por e kanë thirrur Anne.
NJË GRUA MODERNE
Për të krijuar karakterin e Agnes-it, O’Farrell e ndërtoi atë duke u nisur nga veprat e Shakespear. “Ka shumë parashikime dhe ‘shikim të dytë’ në veprat e tij. Mendoni për orakullin në Juli Caesar”, thotë ajo. Dija e Agnes-it për barërat mjekësore gjen jehonë edhe te monologu i Ofelias në Hamlet, kur ajo shpërndan bimë dhe lule. “Kam lexuar se çdo shtëpi atëherë kishte një kopësht ilaçesh. Dhe ishte përgjegjësi e gruas së shtëpisë, matriarkes, t’i njihte dhe t’i përdorte ato”. Ajo imagjinon se Shakespeare mund të ketë mësuar prej saj detaje për këto tema.
Megjithatë, lidhjet mes jetës së Shakespear dhe artit të tij janë thjesht spekulime, edhe nëse janë shumë intriguese. Karakteri i Agnes-it është si një grua e denjë për shekullin XXI, inteligjente, e fortë, e pavarur, e aftë të kuptojë se burri i saj duhet të përshtatet me jetën e tij artistike në Londër. Një partnere e denjë për një gjeni. O’Farrell thotë se gruaja e vërtetë e Shakespear nuk ka gjasa të ketë ditur shkrim-lexim. “Do të dukej e kotë t’i mësohej një vajze të një fermeri, të lexonte”.

LIDHJA HAMLET-HAMNET
Libri dhe filmi tregojnë largimin e Shakespear për punë në Londër, gjë historikisht e vërtetë. Por për vdekjen e Hamnet-it ka vetëm hamendje. O’Farrell, si studiues të tjerë, sheh lidhje me Hamlet. Në film, kur Agnes shkon në Londër për të parë shfaqjen, sheh se kostumi i aktorit që luan Hamletin e bën të duket si Hamnet-i. Edhe më goditës është fakti, se djalin e vogël Hamnet e luan Jacobi Jupe dhe Hamletin Noah Jupe, vëllezër në jetën reale, shkruan BBC.
“Vdekja e Hamnet-it duhej të kishte një ndikim tek Shakespear. Është joshëse t’i lidhësh emrin dhe humbjen e djalit me Hamlet-in. Mund të ketë qenë një arsye pse Shakespear i rikthehet një loje të vjetër dhe e rishkruan kryevepër”. Ka edhe spekulime se ai vetë ka luajtur rolin e fantazmës së babait në skenë, një mënyrë për t’i dhënë lamtumirën e munguar të birit. Nuk ekziston asnjë letër e vetme që të tregojë se çfarë mendonte Shakespeare për familjen. Por një fragment i ri letre mund të nënkuptojë se Anne mund të ketë jetuar në Londër, duke sugjeruar madje se ajo dinte të lexonte.
Megjithatë, pikërisht ky film do ta ndryshojë perceptimin popullor të publikut për gruan e Shekspirit, duke e bërë të njohur si Agnes. “Do të ishte bukur nëse është e vërtetë”, thotë O’Farrell. “Por ndoshta do të jetë e përkohshme. Ndoshta, si kjo letër, diçka tjetër del dhe na detyron të ndryshojmë mendje”. Dhe shton dy fjalët që përshkruajnë gjithçka rreth familjes Shakespeare: “Kush e di?”. Hamnet shfaqet në kinematë amerikane nga 26 nëntori dhe në Mbretërinë e Bashkuar e Irlandë nga 9 janari.

