Nga John Burn-Murdoch –  FT/

Gjatë dekadës së fundit, narrativa politike dominuese në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar ka qenë rritja e së djathtës populiste. Brexit, fitorja e parë e Donald Trump-it dhe shndërrimi i Alternativës për Gjermaninë (AfD) në një forcë të rëndësishme politike ndodhën të gjitha në vitin 2016. Parti dhe politikanë të ngjashëm kanë ardhur në pushtet ose janë afruar pranë tij në Itali, Holandë dhe Francë, ndërsa qëndrimet kundër emigrantëve janë ashpërsuar dhe kufijtë janë shtrënguar në shumë vende.

Por ky tregim i thjeshtuar është bërë më i ndërlikuar me kalimin e kohës. Viti i kaluar solli humbje për partitë në pushtet dhe fitore për forcat në të dy skajet ekstreme. Ndërsa këtë vit kemi parë përparime të mëdha të asaj që mund ta quajmë e majta populiste: nga fitorja e Zohran Mamdanit në garën për kryetar bashkie të Nju Jorkut, te rritja e Die Linkes në zgjedhjet gjermane dhe ngjitja e përkohshme e të Gjelbërve në vendin e dytë në një sondazh në Mbretërinë e Bashkuar, mes thirrjeve për taksa mbi pasurinë dhe kontroll të qirave.

Devijimi nga historia e vetme e rritjes së të djathtës populiste mund t’i qetësojë disa lexues. Por, nëse shikohet më nga afër, këto lëvizje që duken të ndryshme janë pjesë e një prirjeje të përbashkët dhe ndoshta edhe më shqetësuese: forcimi i një politike që është kundër sistemit, kundër rritjes ekonomike dhe e ndërtuar mbi idenë se jetojmë në një botë ku fitimi i njërit do të thotë humbje për tjetrin.

Duke u mbështetur në punën e ekonomistes së Harvardit Stefanie Stantcheva dhe të tjerëve, analiza ime e sondazheve të “More in Common” tregon se në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani, bindjet “me fitues dhe humbës” në të majtë (p.sh. se njerëzit pasurohen vetëm duke varfëruar të tjerët) dhe në të djathtë (p.sh. se emigrantët përfitojnë në kurriz të vendasve) janë shprehje të së njëjtës mënyrë të të menduarit. Pra, ideja se ka vetëm një sasi të kufizuar për të gjithë dhe se duhet të përdoren kufizime, taksa dhe trajtim preferencial për të rregulluar pabarazitë mes fituesve dhe humbësve.

Këto qëndrime janë përçarëse, konfliktuale dhe zakonisht kanë pasoja negative për ekonominë dhe shoqërinë. Por ato nuk janë thjesht irracionale apo të shpikura nga politikanë manipulues. Shfaqja e tyre në vende dhe sisteme të ndryshme politike tregon se ato kanë rrënjë në një realitet të përbashkët.

Kur rritja ekonomike është e dobët, lëvizja lart në shoqëri bëhet e vështirë dhe përfitimet shpesh vijnë në kurriz të dikujt tjetër. Kjo përshkruan mjaft mirë dy dekadat e fundit. Që nga kriza financiare, rritja ekonomike për frymë në Perëndim ka qenë mesatarisht më pak se 1% në vit, më pak se gjysma e asaj që ishte në tri dekadat e mëparshme dhe shumë më pak se më herët. Përparimi ekonomik brez pas brezi është ngadalësuar ndjeshëm dhe njerëzit shikojnë me dyshim ata që janë disa hapa përpara ose ata që hyjnë më vonë në radhë.

Kjo ndihmon të kuptohet pse shqetësimi për pabarazinë është rritur, edhe pse diferencat mes më të pasurve dhe më të varfërve në Mbretërinë e Bashkuar janë ngushtuar. Suksesi i të tjerëve shqetëson më pak kur të gjithë ecin përpara.

Rëndësia e lëvizjes sociale lart shpjegon edhe pse Mamdani, socialist dhe kryetar bashkie i zgjedhur në Nju Jork, pati mbështetje të fortë nga të rinj profesionistë me të ardhura të larta. Në vitet 1980, pothuajse tre të katërtat e njujorkezëve rreth të tridhjetave, me të ardhura sa 100 mijë dollarë sot, kishin shtëpinë e tyre. Sot, kjo shifër është më pak se gjysma. Këta socialistë me paga të larta nuk po luajnë rol: sipas treguesit kryesor të suksesit ekonomik,  pronësisë së shtëpisë, ata janë realisht në rënie sociale dhe po kthehen drejt masave radikale kundër tregut nga dëshpërimi.

Kriza e strehimit është vetëm një nga arsyet pse nuk duhet të na habisë fakti që të rinjtë kanë bindjet më të forta të tipit “fitues-humbës”. Vitet e fundit kanë sjellë transferime gjithnjë e më të mëdha ekonomike nga të rinjtë te të moshuarit, pasi pensionet janë bërë më bujare, ndërsa taksat dhe kostot për të rinjtë janë rritur bashkë me çmimet e banesave. Shpesh, qiraja kalon drejtpërdrejt nga të rinjtë te brezi i prindërve të tyre.

Më shumë se gjysma e votuesve të rinj në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani mbështesin tani parti të së djathtës ose së majtës që bazohen në këtë logjikë. Pa veprime urgjente për të rikthyer mundësitë e përparimit, si në tregun e banesave ashtu edhe në ekonomi në përgjithësi, rrezikojmë të mbetemi të bllokuar në një rreth vicioz shoqërish me rritje të ulët, që prodhojnë politika përçarëse dhe kundër zhvillimit. / Financial Times – Syri.net

© SYRI.net

MARKETING