Me “Siguri dhe begati”, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon votat e qytetarëve edhe për një mandat tjetër qeverisës.
Mirëpo, pikërisht për keqpërdorimet e begatisë po akuzohet njëra nga ministrat kyç në qeverinë Kurti 2.
Emri i Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e akuzuar për aferën e rezervave shtetërore ku hyjnë vaji, mielli e gruri, ndodhet në krye të listës së VV-së me numrin 21.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 nëntor të vitit 2025, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.
E për dëmin mbi 3 milionësh që akuzohet t’i ketë shkaktuar vendit, ka thënë se nuk ndjehet fare fajtore. Largimin nga pozita nuk e ka çuar në mend. Por, kjo nuk ishte aktakuza e vetme e ngritur ndaj Hajdarit.
Më 13 tetor 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit për mosdeklarim të pasurisë.
Për këtë vepër, më 29 dhjetor 2022, ajo u dënua me 700 euro gjobë. Por ky nuk ishte rasti i vetëm.
Më 24 tetor 2023, pa kaluar as një vit, Hajdari u dënua sërish nga Gjykata e Prishtinës, kësaj radhe për një aksident trafiku, ku me veturë goditi një vajzë 10-vjeçare. Edhe në këtë rast, gjykata e dënoi vetëm me gjobë prej 200 eurosh.
Nën llupën e drejtësisë gjendet edhe ministri i Zhvillimit Rajonal në detyrë Fikrim Damka, i cili akuzohet se i shkaktoi shtetit mbi 1 milion euro dëm.
Edhe emri i Hysen Durmishit, i cili është ministër në detyrë i Infrastrukturës i është shtuar sfidave ligjore që kanë goditur ministrat e Qeverisë Kurti 2.
Me ligjin u përplas edhe ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ndërkohë, pa aktakuzë penale, por nën hetime, është përballur edhe Faton Peci, ish ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili tashmë ka nisur punën si kryetar i komunës së Mitrovicës.
Të gjitha detajet i kuptoni në videon e mëposhtme të përgatitur nga Kiks Kosova:

