Emad Mehmeti
Të shohësh një xhami në Manastir të kthyer në servis makinash është plagë për çdo besimtar dhe turp për çdo institucion që hesht. Nuk është vetëm një ndërtesë e përdhosur, por një kujtesë e shenjtë që shkelet me vaj motori e pluhur.
Manastiri, dikur vatër e bashkëjetesës dhe kulturës, sot përballet me një skandal që nuk duhet kaluar në heshtje. Ku janë zërat e atyre që duhet të jenë rojtarët e vlerave fetare Ku është BFI-ja, që hesht sikur të mos bëhej fjalë për një objekt të shenjtë, por për një ndërtesë të braktisur
Dhe ku janë institucionet shtetërore që duhet të garantojnë respektin për trashëgiminë kulturore e fetare
Një xhami e kthyer në servis nuk është thjesht simbol i shpërfilljes, por është dëshmi e një degradimi moral dhe institucional.
Sot është një xhami në Manastir; nesër, nëse heshtim, mund të jetë çdo vend i shenjtë, çdo kujtim i shenjtë. Kjo nuk është vetëm çështje feje. Është çështje dinjiteti. Dhe dinjeti nuk rregullohet me fjalë, por me veprim. Prandaj heshtja në këtë rast, nuk është neutralitet – është bashkëfajësi

