Kombëtarja shqiptare do të mbyllë kualifikueset e Botërorit 2026 me ndeshjen ndaj Anglisë, që do të zhvillohet në “Air Albania Stadium”.
Në prag të kësaj sfide, Policia e Shtetit dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kanë ndërmarrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë.

FSHF njofton se ditën e ndeshjes do të vendosen tabela orientuese rreth stadiumit për të ndihmuar tifozët të gjejnë më lehtë hyrjet dhe tribunat e tyre.
Në pikat e kontrollit do të ketë kontejnerë për sendet e ndaluara, si dhe për grumbullimin e monedhave dhe objekteve të vogla nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq.

Udhëzimet kryesore për tifozët:

  • Hyrja lejohet vetëm me biletë të vlefshme dhe dokument identifikimi;

  • Fëmijët pa biletë nuk do të lejohen të hyjnë, pavarësisht moshës;

  • Biletat e falsifikuara apo të dublikuara nuk njihen nga sistemi i stadiumit;

  • Portat do të hapen tre orë përpara ndeshjes, ndaj tifozët ftohen të mbërrijnë herët dhe të ndjekin udhëzimet e stafit dhe policisë.

FSHF dhe Policia e Shtetit kërkojnë bashkëpunim maksimal për të siguruar një atmosferë festive dhe të qetë në mbështetje të kuqezinjve.

(Burimi: Top Channel)