Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar drejtorin e Agjencisë shtetërore për Pagesat e Ndihmës Kombëtare dhe Komunitare për Zhvillimin Rural, Ilia Stoilev, me akuzën e ryshfetit me qëllim miratimin e paligjshëm të financimit për një kompani bujqësore në vend.
Stoilev, i cili vjen nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, dyshohet se ka rënë dakord me një ish-ministër të vendit për të marrë shumën prej 50,000 eurosh për të miratuar një subvencion të BE-së për një kompani bujqësore në pronësi të këtij të fundit. Financimi vjen nga fondet e BE-së, konkretisht nga programi IPA/IPARD i Bashkimit Evropian, i cili mbështet veprimet e zhvillimit rural në vendet kandidate.
Kreu i agjencisë u arrestua ndërsa merrte 400 euro si paradhënie të shumës totale. Katër persona të tjerë janë arrestuar në të njëjtin rast. Të pesë të arrestuarit u lanë në paraburgim.
Përfituesit e ndihmës së BE-së janë kryesisht fermerë, mbarështues bagëtish dhe investitorë në sektorin bujqësor, si dhe kompani përpunuese.
Pas zbulimit të skandalit, qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi pezullimin e pacaktuar të të gjitha fondeve të BE-së për përfituesit e programit të BE-së, derisa të përfundojë hetimi i rastit.
Kryeministri Christian Mickoski tha se pezullimi ishte i nevojshëm për të kontrolluar të gjitha parregullsitë e mundshme, pasi ka dyshime se praktika të ngjashme kanë ndodhur në të kaluarën.
Partia Social Demokrate (SDSM) e opozitës akuzoi qeverinë e Mickoskit për “korrupsion të përhapur gjerësisht”, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të humbasë rreth 100 milionë euro nga fondet e BE-së për sektorin bujqësor, ndërsa shtoi se mijëra fermerë në vend do të mbeten pa subvencione të BE-së. Kjo parti gjithashtu argumentoi se vendimi për pezullimin e financimit në fakt erdhi nga vetë BE-ja dhe jo nga qeveria e Mickoskit, ndërsa kërkoi dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë.
Në përgjigje, Mickoski theksoi se Bashkimi Evropian nuk ka bllokuar fondet për sektorin bujqësor në Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se iniciativa për një pezullim të përkohshëm ishte një vendim qeveritar, i cili u mirëprit edhe nga Komisioni Evropian.
Nga ana e saj, delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut tha se Komisioni Evropian ka kërkuar informacione shtesë nga institucionet kompetente të vendit dhe shtoi se BE rezervon të drejtën për të marrë masa parandaluese për të mbrojtur interesat e saj financiare.
Burime diplomatike thanë se përfshirja e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) në hetim nuk përjashtohet dhe se nëse gjenden parregullsi në lidhje me ndarjen e fondeve të BE-së, Maqedonia e Veriut mund të detyrohet të kthejë paratë në BE.
Kujtojmë se abuzimi me fondet e BE-së për bujqësinë ka kapluar më herët Shqipërinë, duke detyruar Brukselin për një pezullim fondesh të programit IPAD në funksion të një hetimi. Fjala është për kohën kur Bujqësia shqiptare drejtohet nga Frida Krifca, një ish-ministre që tashmë nuk figuron gjëkundi në nivelet e pushtetit socialist./TESHESHI.COM./

