Nëse keni simptoma të ngjashme, rekomandohet të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak dhe të konsultoheni me një mjek. Ndjesia e të ftohtit që nuk e ndajnë njerëzit përreth jush mund të mos jetë thjesht reagim ndaj motit. Ajo mund të jetë një paralajmërim që trupi juaj po përpiqet t’ju tregojë diçka më serioze
Me ardhjen e vjeshtës, shumë njerëz kërkojnë rrobat e trasha dhe ngrohtësinë e shtëpisë. Por nëse ndiheni vazhdimisht të ftohtë, edhe kur të tjerët rreth jush jo, trupi juaj mund të jetë duke ju dërguar një sinjal të rëndësishëm. Sipas farmacistes Niamh Macmillan, ndjesia e të ftohtit e vazhdueshme nuk është gjithmonë pasojë e temperaturave të ulëta – në disa raste, ajo mund të tregojë për një gjendje shëndetësore që kërkon vëmendje mjekësore, raporton Express.co.uk.
HIPOTIROIDIZMI – SHKAKU MË I ZAKONSHËM. Një nga arsyet kryesore pse njerëzit ngrijnë vazhdimisht është funksioni i reduktuar i gjëndrës tiroide (hipotiroidizmi). Kjo ndodh kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone që rregullojnë metabolizmin dhe temperaturën e trupit. “Një metabolizëm i ngadalësuar mund të ulë temperaturën bazë të trupit, duke ju bërë të ndiheni të ftohtë dhe të ndjeshëm ndaj temperaturave të ulëta”, shpjegon McMillan. Simptoma të tjera të hipotiroidizmit përfshijnë:
– lodhje dhe rraskapitje,
– shtim në peshë,
– kapsllëk,
– lëkurë dhe flokë të thatë,
– humor të ulët,
– zë të ngjirur,
– cikël menstrual të çrregullt ose të rëndë.
Në këto raste, rekomandohet të bëhen analiza të hormoneve tiroide tek mjeku.
SËMUNDJA E RAYNAUDIT. Nëse gishtat e duarve ose këmbëve shpesh mpihen, zbardhen ose bëhen blu, veçanërisht në të ftohtë, mund të bëhet fjalë për sëmundjen e Raynaud-it. Kjo gjendje shkakton ngushtimin e enëve të gjakut dhe kufizon qarkullimin, duke shkaktuar ndjesi të ftohti dhe mpirjeje. “Për ata që vuajnë nga Raynaud, gjymtyrët e ftohta janë një sfidë e përditshme,” thekson McMillan.
ANEMIA. Anemia, veçanërisht ajo që lidhet me mungesën e hekurit, është një tjetër shkak i mundshëm.Kur trupi nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe për të transportuar oksigjen, qarkullimi dobësohet dhe shfaqet ndjesia e ftohtit, kryesisht në duar e këmbë. Simptoma të tjera të anemisë:
– lodhje,
– marramendje,
– lëkurë e zbehtë,
– frymëmarrje e vështirësuar.
DIABETI I TIPIT 2. Në disa raste, diabeti i tipit 2 mund të dëmtojë nervat, sidomos në gjymtyrë, duke krijuar ndjesinë e ftohtit edhe kur lëkura është e ngrohtë në prekje. Shenja të tjera të diabetit përfshijnë:
– etje të shtuar,
– urinim të shpeshtë,
– humbje të pashpjegueshme në peshë,
– lodhje të vazhdueshme.
Nëse keni simptoma të ngjashme, rekomandohet të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak dhe të konsultoheni me një mjek. Ndjesia e të ftohtit që nuk e ndajnë njerëzit përreth jush mund të mos jetë thjesht reagim ndaj motit. Ajo mund të jetë një paralajmërim që trupi juaj po përpiqet t’ju tregojë diçka më serioze.

