Kryetari i BBC-së, Samir Shah, pritet të kërkojë falje me shkrim para një komisioni parlamentar ditën e sotme, në vijim të krizës më të madhe që ka përfshirë korporatën britanike të medias gjatë viteve të fundit.
Dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe të drejtoreshës ekzekutive të BBC News, Deborah Turness, të dhëna mbrëmjen e së dielës, pasuan kritikat e ashpra ndaj programit investigativ Panorama, i cili sipas raportimeve të mediave britanike, kishte manipuluar një pjesë të fjalimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas gazetës The Telegraph, një memo e brendshme e rrjedhur nga BBC tregonte se redaktorët e Panorama-s kishin bashkuar dy pjesë të ndryshme të një fjalimi të Trump, duke krijuar përshtypjen sikur ai po nxiste trazirat në Capitol Hill në janar të vitit 2021.
Dokumenti i brendshëm kritikonte gjithashtu mënyrën e mbulimit të ngjarjeve nga BBC News në fusha të tjera, ndërsa autori i tij shkruante se e kishte dërguar memorandumin “në dëshpërim për shkak të mungesës së reagimit nga drejtuesit e lartë të BBC-së”.
Në deklaratën e tij, Tim Davie pranoi përgjegjësinë përfundimtare, duke thënë:
“Janë bërë disa gabime, dhe si drejtor i përgjithshëm duhet të marr përgjegjësinë përfundimtare.”
Ndërsa Deborah Turness, e cila foli mëngjesin e sotëm teksa mbërriti në selinë e BBC-së, theksoi:
“Dua të jem shumë e qartë – BBC News nuk është e anshme në mënyrë institucionale.”
Ngjarja është cilësuar si “sizmike” nga redaktorja e medias Katie Razzall, e cila shkroi se “nuk mund të mos mendoj se kjo është më shumë sesa duket”.

