Në një atmosferë të jashtëzakonshme përpara rreth 50 mijë tifozëve në stadiumin “San Mamés” të Bilbaos, kombëtarja palestineze zhvilloi ndeshjen e saj të parë historike, njofton mesazhi.com, në një fushë europiane, përballë ekipit Bask.
Pavarësisht humbjes 3–0, përballja u shndërrua në një demonstrim të fuqishëm solidariteti. Tifozët vendas dhe të ardhur nga rajone të ndryshme brohoritën pa ndërprerje për Palestinën dhe kërkuan ndalimin e agresionit gjatë gjithë 90 minutave të lojës.
Ndeshja vjen në një periudhë ku sporti palestinez është goditur rëndë nga dhuna dhe shkatërrimet, me qindra lojtarë të vrarë, të plagosur dhe me shumë impiante sportive të rrënuara. Megjithatë, paraqitja e ekipit në Bilbao u pa si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe të drejtës së popullit palestinez për të jetuar me dinjitet dhe për të ndërtuar shtetin e tij.
Takimi miqësor u cilësua nga organizatorët si një moment historik për futbollin palestinez dhe një mesazh i qartë i mbështetjes ndërkombëtare për kauzën e tyre. /mesazhi

